Secondary Adv

Rënia e euros deri në vitin 2024 lidhet më shumë me ndërtimin sesa me turizmin

Analiza e të dhënave tregon se bumi i lejeve të ndërtimit ka ndikuar më shumë në zhvlerësimin e euros deri në vitin 2024, ndërsa turizmi fitoi peshë kryesisht nga viti 2025.

Euro ka ndjekur një trajektore të vazhdueshme rënëse në Shqipëri që nga fundi i vitit 2016. Nga një kurs mesatar prej rreth 140 lekësh në vitin 2015, monedha e përbashkët zbriti në 137.4 lekë në vitin 2016, për të arritur në 119 lekë në vitin 2022 dhe në 100.7 lekë gjatë vitit 2024. Në vitin 2025 euro ra për herë të parë nën nivelin e 100 lekëve, me një mesatare vjetore prej 97.8 lekësh, ndërsa nga 1 janari deri më 17 korrik 2026 kursi mesatar rezulton 95.6 lekë.



Nga analiza e të dhënave zyrtare dhe vlerësimet e operatorëve të tregut rezulton se rënia e euros është ndikuar kryesisht nga dy faktorë: zgjerimi i vrullshëm i sektorit të ndërtimit deri në vitin 2024 dhe, më pas, përmirësimi i treguesve të ekonomisë reale, i mbështetur veçanërisht nga turizmi dhe remitancat.


Bumi i ndërtimit ndikoi më shumë në kursin e këmbimit

Sipas analizës, deri në vitin 2024 ndikimin më të madh në dobësimin e euros e ka pasur zgjerimi i sektorit të ndërtimit. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivele rekord, me 2.1 deri në 2.7 milionë metra katrorë të miratuara çdo vit gjatë periudhës 2021–2024, duke krijuar një lidhje të fortë mes rritjes së aktivitetit ndërtimor dhe zhvlerësimit të monedhës së përbashkët.


Për vitin 2025 nuk është e mundur të bëhet një krahasim i plotë, pasi INSTAT nuk disponon të dhëna të plota për sipërfaqen e lejeve të ndërtimeve mbi shtatë kate, të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe nuk raportohen në statistikat zyrtare. Megjithatë, të dhënat indirekte nga taksa e ndikimit në infrastrukturë tregojnë se aktiviteti ndërtimor u ngadalësua lehtë gjatë vitit 2025, ndërsa u përshpejtua ndjeshëm në pesë muajt e parë të vitit 2026.


Vetëm gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti u arkëtuan 15.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2024 të ardhurat nga ky zë ishin 18 miliardë lekë. Bazuar në këto të dhëna, vlerësohet se në pesë muajt e parë të vitit mund të jenë miratuar rreth 2 milionë metra katrorë ndërtim, efektet e të cilëve pritet të reflektohen në vitet në vijim.


Hetimet e SPAK dhe financimi i sektorit të ndërtimit

Analiza ndalet edhe te hetimet e SPAK, të cilat kanë nxjerrë në pah mënyrat se si paraja informale është kanalizuar në sektorin e ndërtimit. Si shembull përmendet kompania Nova Construction, e cila sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit rriti të ardhurat nga 181 milionë lekë në vitin 2017 në rreth 4 miliardë lekë në vitin 2024, duke u shndërruar në një nga operatorët më të mëdhenj në ndërtimet rezidenciale.


Në fund të vitit 2024 kompania raportonte detyrime prej rreth 6 miliardë lekësh dhe kapital prej rreth 1 miliard lekësh, me një raport detyrime ndaj kapitalit rreth 6 me 1. Sipas analizës, zgjerimi i aktivitetit nuk është mbështetur në kredi bankare afatgjata, por kryesisht në detyrime ndaj palëve të treta, një strukturë financimi që konsiderohet më e ekspozuar ndaj përdorimit të kapitalit informal në sektorin e ndërtimit.


Turizmi nisi të ndikojë më shumë nga viti 2023

Faktori i dytë që ka ndikuar në kursin e këmbimit lidhet me përmirësimin e të ashtuquajturave “fondamente” ekonomike, veçanërisht deficitin e llogarisë korrente. Ky tregues mat diferencën mes valutës që hyn dhe asaj që del nga vendi përmes tregtisë së mallrave e shërbimeve, të ardhurave nga puna dhe investimet, remitancave dhe bilancit të udhëtimeve.


Megjithëse teoria ekonomike sugjeron se përmirësimi i deficitit të llogarisë korrente duhet të forcojë monedhën vendase, gjatë periudhës 2016–2022 ndodhi e kundërta. Deficiti u përkeqësua, duke arritur në rreth 1.1 miliardë euro në vitin 2022, ndërsa euro u zhvlerësua me rreth 13% në të njëjtën periudhë.


Situata ndryshoi nga viti 2023, kur deficiti nisi të ngushtohej falë rritjes së të ardhurave nga turizmi. Ai zbriti në 374 milionë euro në vitin 2023, por u përkeqësua sërish në 610 milionë euro gjatë vitit 2024, ndërkohë që euro vazhdoi të humbiste vlerë. Vetëm në vitin 2025 deficiti u ngushtua ndjeshëm në 178 milionë euro, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në forcimin e lekut.


Turizmi solli më shumë valutë, por edhe importe më të larta

Përmirësimi i llogarisë korrente në vitin 2025 u mbështet kryesisht nga bilanci pozitiv i udhëtimeve, që arriti në 2.7 miliardë euro, si dhe nga remitancat e emigrantëve, të cilat u rritën në 1.1 miliardë euro.


Megjithatë, analiza thekson se kërkesa e krijuar nga turizmi ka financuar në një masë të madhe importet, ndërsa ndikimi në prodhimin vendas ka qenë më i kufizuar. Si pasojë, deficiti tregtar i Shqipërisë arriti nivelin rekord prej 5.9 miliardë eurosh, duke treguar se ekonomia vazhdon të mbetet shumë e varur nga mallrat e importuara.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat